KOSOVA ME DY BOKSIERË NË KAMPIONATIN BOTËROR U19 NË BUDVA

Kosova do të përfaqësohet me dy boksierë në Kampionatin Botëror U19 në boks, i cili do të mbahet nga 14 deri më 28 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.

Në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, vendi ynë do të përfaqësohet nga Riad Isufi, në kategorinë deri në 55 kilogramë, dhe Luan Rrahmani, në kategorinë mbi +90 kilogramë.

Përfaqësuesit e Kosovës:

• Riad Isufi – 55 kg.

• Luan Rrahmani – 90+ kg.

Ekipi i Kosovës udhëhiqet nga trajneri Shefki Bogujevci, i cili do të jetë në krah të boksierëve tanë gjatë këtij kampionati.

Më 15 tetor do të mbahet takimi teknik, pas të cilit do të hidhet shorti për përcaktimin e kundërshtarëve dhe rrugëtimit të boksierëve në këtë garë botërore.

Kampionati Botëror U19 pritet të mbledhë boksierë të rinj nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për të dëshmuar talentin dhe përgatitjen në arenën ndërkombëtare.

Boksierët kosovarë synojnë të paraqiten sa më mirë në ring, të japin maksimumin dhe ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën në këtë garë prestigjioze.

Federata e Boksit e Kosovës u uron shumë sukses Riad Isufit dhe Luan Rrahmanit, si dhe trajnerit Shefki Bogujevci, me dëshirën për paraqitje sa më të mira në Kampionatin Botëror U19 në Budva!