Sot, më 23 shtator, në kuadër të Kampionatit Evropian Sofia 2026, boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka shënuar një fitore të rëndësishme në çerekfinale, duke siguruar kështu medaljen e Kampionatit Evropian.
Kategoria 60 kg – Çerekfinale
Donjeta Sadiku u përball me boksieren nga Holanda, Maund van der Toorn, ndaj së cilës zhvilloi një meç të fortë dhe dominues gjatë të tre raundeve.
Sadiku kontrolloi ritmin e meçit dhe me aksionet e saj të vazhdueshme e vuri kundërshtaren nën presion. Gjatë meçit, referi në ring i bëri numërim boksieres holandeze, ndërsa gjithashtu e ndëshkoi me vërejtje publike për mbajtje të vazhdueshme.
Në fund, gjyqtarët e vlerësuan meçin në favor të Donjeta Sadikut me rezultat unanim 5:0, duke i dhënë fitoren dhe njëkohësisht duke i siguruar medaljen evropiane.
Me këtë sukses, Donjeta Sadiku dëshmon edhe një herë nivelin e saj të lartë ndërkombëtar dhe vazhdon rrugëtimin drejt medaljes së artë në Sofia 2026.
Në gjysmëfinale, Donjeta Sadiku do të përballet me Kristina Kuluhovën, e cila përfaqëson Serbinë. Të dyja boksieret u përballën edhe në finalen e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, ku Sadiku triumfoi dhe u shpall Kampione e Lojërave Mesdhetare.
![]()
Suksese Donjeta! Të gjithë jemi me ty!

