Boksieri i Kosovës, Bashkim Bajoku (55 kg), ka përfunduar në vendin e 5-të në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.
Bajoku zhvilloi tri meçe në këtë garë. Në xhiron e parë, ai shënoi fitore bindëse ndaj boksierit nga Izraeli, Farid Hreish.
Në xhiron e dytë, Bajoku mposhti boksierin nga Shqipëria, Kristijan Koço, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale.
Ndërsa sot, në çerekfinale, në meçin për medaljen e bronztë, Bajoku u përball me boksierin nga Turqia, Semih Gumus ndaj të cilit pësoi humbje.
Me këtë rezultat, Bashkim Bajoku përfundon Kampionatin Evropian në vendin e 5-të, duke zhvilluar një paraqitje të mirë dhe duke qenë në mesin e tetë boksierëve më të mirë të Evropës në kategorinë 55 kg.
Federata e Boksit e Kosovës e përgëzon Bashkim Bajokun për paraqitjen dhe rezultatet e arritura në Kampionatin Evropian – Sofje 2026.

