Federata e Boksit kërkon selektor, e hapur edhe për trajnerë të huaj

Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) ka publikuar kriteret dhe detyrat që duhet t’i përmbushë selektori i ri për seniorë. Federata e Boksit të enjten ka hapur konkurs, ndërsa do të jetë i hapur dhjetë ditë. FBOX-ja është i hapur edhe për trajnerë të huaj.

“Federata e Boksit e Kosovës pas gjashtë muajve të ushtruesit të detyrës të selektorit Musli Zymberi, shpall konkurs për selektor të boksierëve seniorë (të rritur 19 deri 40-vjeçar)”, shkruan në njoftimin e FBOXK-së.

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, thotë se me statut e kanë për obligim të zgjedhin selektorin nëpërmjet konkursit.

“E kemi obligim me statut që të hapim konkurs për selektorë. Uroj të aplikojnë numër i madh. Jemi të hapur edhe për trajnerë të huaj. Pse jo nëse s’i plotëson kriteret”, ka thënë Demolli.

Kriteri i parë që selektori i ri duhet ta plotësojë është thirrja e trajnerit të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA). Janë edhe dy kritere të tjera që selektori i ri duhet t’i plotësojë. “Të ketë rezultate të theksuara në punën profesionale dhe edukative në klubet elitare dhe përgatitje për ta përfaqësuar dhe zhvilluar boksin – posedon rezultate të theksuara si trajner apo ish-sportist”.

Lista e detyrave dhe punën që e pret selektori është më e gjatë se kriteret. Obligative e ka bashkëpunimin e mirë me boksierë, trajnerë të klubeve, komisionin shëndetësor si dhe me profesionistët e lëmenjve të tjera “me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për arritjen e rezultateve sa më të mira të përfaqësueses”.

Në fakt, Kosova ka telashe me trajnerë të nivelit elitar të boksit. Trajnerët në Kosovë kanë vetëm një yll. Shefki Bogujevci, ish-selektori i Kosovës është i vetmi trajner me dy yje.

Demolli thotë se selektori do të paguhet me mëditje.  

“Mëditja është rritur nga 20 në 35 euro. Do të paguhet gjatë grumbullimeve dhe garave nëpërmjet linjës buxhetore të MKRS-së. Nuk kemi sponsor dhe nuk mund ta paguajmë selektorin në bazë mujore. Bankat e kanë të ndaluara të sponsorizojnë sportet luftarake”, ka thënë Demolli.

Musli Zymberi thotë se do të aplikojë për ta vazhduar punën e selektorit.

“Unë momentalisht jam në Poreç të Kroacisë. Tani nga ju po informohem për hapjen e konkursit, por nëse nuk mbyllet derisa të kthehemi, do ta bëj kandidaturën. Unë nuk kam qenë selektor me mandat të plotë, por kam qenë i emëruar ushtrues detyre, gjë që kjo më ka hendikepuar bukur shumë në punën time. Puna ime gjatë kësaj periudhe, nuk e them se ka shkëlqyer, por, ka qenë më ndryshe se si ka vijuar deri më tash. Jam mundu me krejt kapacitetin tim profesional e njerëzor ta qes në binarë, a kam arritur. Mendoj se ka shumë për të bërë. Puna kryesore që mua më ka pengu jashtëzakonisht shumë, ka qenë mosdisiplina. Unë mendoj që disiplina është çelësi i suksesit”, ka thënë Zymberi.

Kosova tashmë ka arritur disa suksese në garat ndërkombëtare. Suksesin më të madh FBOXK-ja e ka arritur me boksieren Donjeta Sadiku. Ka fituar medaljen e bronztë botërore dhe evropiane. Shpetim e Bashkim Bajoku po ashtu kanë disa rezultate nga garat ndërkombëtare. Pritet shumë nga dy vëllezërit Bajoku.