Me ftesë të Federatës së Boksit të Kosovës, Presidenti i Unionit Evropian të Boksit (EUBC), Ioannis Filippatos, ka qëndruar sot në Kosovë, me ç’rast është pritur nga drejtuesit e FBoxK-së, kryetari Enver Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli.
Të tre këta kanë zhvilluar edhe një konferencë për media, ku presidenti Filippatos, falënderoi FBoxK-në për mikpritjen e ngrohtë, derisa premtoi përkrahje për boksierët tanë.
I pari i boksit Evropian theksoi se Kosova është e vogël, por që ka boksierë të talentuar, duke veçuar Donjeta Sadikun, për të cilën EUBC po realizon një dokumentar.
Presidenti Filippatos, që vjen nga Greqia, u shpreh se Kosova, është e gatshme të organizojë ndonjë ngjarje të madhe, duke nisur fillimisht me Kampionatet Ballkanike të boksit, Evropiane për të rinj.
I pyetur nga gazetarët për diskriminimin që po iu bëhen boksierëve tanë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën, ai theksoi se vazhdimisht EUBC, vetëm kur nuk ka oferta tjera ua jep organizimin shteteve me të cilat vendi ynë ka probleme të mosnjohjes, duke premtuar se do ta ushtrojë ndikimin e tij tek qeveritë e shteteve mikpritëse, me theks të veçantë tek Serbia, e cila vitin e ardhshëm organizon Evropianin e meshkujve.
Të nderuar me vizitën e tij dhe përkrahjen që kanë pasur në vazhdimësi, u shprehën edhe kryetari Enver Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli, të cilët ndanë edhe dhurata për Filippatosin.
Presidenti i EUBC-së, u prit edhe nga zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, e cila foli për sukseset dhe sfidat që boksi ynë po hasë me mospjesëmarrje në garat ndërkombëtare, derisa u diskutua për mënyrën e bashkëpunimit për avancimin e mëtejmë të boksit tonë.