Kosova do të përfaqësohet me dy sportistë, një boksiere dhe një boksier, në Kampionatin Evropian për meshkuj dhe femra, i cili do të zhvillohet nga 15 deri më 26 shtator në Sofje të Bullgarisë. Ndeshjet e kampionatit do të nisin më 17 shtator.
Ky është një kampionat historik, pasi bëhet fjalë për edicionin e parë të zhvilluar nën kujdesin e European Boxing. Garat do të zhvillohen në Asics Arena në Sofje.
Në konkurrencën e femrave, Kosovën do ta përfaqësojë kampionia e Mesdheut, Donjeta Sadiku, në kategorinë deri në 60 kilogramë. Sadiku do të shoqërohet nga selektorja e Kombëtares, Marjola Sallauka.
Ndërkohë, në konkurrencën e meshkujve, fillimisht ishte caktuar të garonte Lumturim Xhoxhaj, në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Megjithatë, për shkak të një lëndimi dhe problemeve me këmbën, Xhoxhaj nuk do të mund të marrë pjesë në këtë kampionat. Në vend të tij, Kosovën do ta përfaqësojë Bashkim Bajoku, i cili do të garojë në kategorinë deri në 55 kilogramë dhe do të shoqërohet nga selektori Faton Xhakli.
Pjesëmarrja në këtë kampionat ka rëndësi të veçantë për boksierët kosovarë, pasi pikët e fituara në garë do të llogariten në renditjen botërore të World Boxing. Kjo e bën Kampionatin Evropian një mundësi të rëndësishme për sportistët kosovarë për të avancuar në renditjen ndërkombëtare dhe për të konsoliduar pozitat e tyre në skenën botërore të boksit.
Federata e Boksit e Kosovës u uron shumë suksese Donjeta Sadikut dhe Bashkim Bajokut në përfaqësimin e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme evropiane.
Me përkushtim, luftë dhe përfaqësim dinjitoz, dy boksierët tanë do të synojnë rezultate sa më të mira në arenën evropiane.



