Ekipi i Kosovës në boks përgatitet në Sofje para Kampionatit Evropian

Ekipi i Kosovës në boks ka udhëtuar më 7 shtator drejt Sofjes së Bullgarisë, ku po merr pjesë në një kamp ndërkombëtar përgatitor.

Pjesë e këtij kampi është edhe kampionia e Mesdheut në kategorinë 60 k. Donjeta Sadiku, së bashku me selektoren e Përfaqësueses së Kosovës, Marjola Sallauka.

Gjatë periudhës 7–15 shtator, ekipi kosovar do të zhvillojë përgatitje intensive në këtë kamp ndërkombëtar, i cili konsiderohet tejet i rëndësishëm në prag të Kampionatit Evropian të Boksit, që do të mbahet nga 16 deri më 26 shtator 2026.

Ky kampionat ka rëndësi të veçantë për boksierët pjesëmarrës, pasi pikët e fituara do të llogariten në renditjen botërore të World Boxing, duke e bërë garën edhe më të rëndësishme për pozicionimin ndërkombëtar të sportistëve.

Përfaqësuesja e Kosovës synon që përmes këtyre përgatitjeve në Sofje të arrijë formën optimale dhe të jetë e gatshme për sfidat e Kampionatit Evropian.