Kombëtarja e Kosovës në boks ka arritur një sukses të madh në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Mustafa Hajrulahović – Talijan”, i cili u mbajt nga 28 korriku deri më 1 gusht 2026 në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë.
Boksierët kosovarë e përfunduan turneun me gjithsej 6 medalje:
1 medalje të artë – Taulant Jakupi (85 kg)
1 medalje të argjendtë – Riad Isufi (55 kg)
4 medalje të bronzta – Bashkim Bajoku (55 kg), Erdi Aliu (65 kg), Ensar Badallaj (70 kg) dhe Flori Tarani (75 kg).
Në finalet e turneut, Kosovën e përfaqësuan dy boksierë.
Taulant Jakupi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke e mposhtur bindshëm boksierin shqiptar Useid Nika me rezultat 5:0. Gjatë të tre raundeve, Jakupi dominoi në ring, e vuri disa herë kundërshtarin në vështirësi dhe demonstroi teknikë të lartë, disiplinë taktike dhe shpirt të madh luftarak, duke fituar medaljen e artë.
Në kategorinë 55 kilogramë, Riad Isufi u përball në finale me italianin Tommaso Orlando, nga i cili u mposht pas një dueli cilësor. Pavarësisht humbjes, Isufi tregoi boks të nivelit të lartë, teknikë të shkëlqyer dhe karakter sportiv, duke dëshmuar se është një nga talentet më premtues dhe e ardhmja e boksit kosovar. Atij i mungon vetëm përvoja më e madhe në arenën ndërkombëtare.
Trajneri i Kombëtares, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjet e boksierëve, duke vlerësuar angazhimin, disiplinën dhe nivelin e treguar gjatë gjithë turneut.
Drejtësinë në këtë turne e ndau edhe gjyqtari ndërkombëtar kosovar Latif Demolli, i cili përfaqësoi me sukses Kosovën edhe në aspektin e arbitrimit.
Ky rezultat përbën një tjetër dëshmi të progresit të boksit kosovar në arenën ndërkombëtare dhe një motivim të madh për garat e ardhshme.










