Kuvendi i Punës i FBOXK-së miraton unanimisht programet dhe pranon klube të reja

Dje, më datë 02.05.2026, u mbajt Kuvendi i Punës i FBOXK-së. Në punimet e Kuvendit morën pjesë 23 klube (nga 27 të licencuara) dhe 23 delegatë me të drejtë vote.

Kuvendarët e pranishëm, me vota unanime, miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës. Kuvendi kishte këtë rend dite:

  1. Zgjedhja e kryesisë së punës (prej 3 anëtarësh)
  2. Zgjedhja e procesmbajtësit
  3. Zgjedhja e Komisionit Verifikues të mandateve të delegatëve
  4. Raporti i punës së FBOXK për vitin 2025
  5. Raporti financiar i FBOXK për vitin 2025
  6. Kalendari 2025
  7. Programi i punës për vitin 2026
  8. Programi financiar për vitin 2026
  9. Kalendari 2026
  10. Pranimi i klubeve të reja

Kryetari Enver Krasniqi raportoi për programin e punës për vitin 2025 dhe theksoi se ky ishte një vit i suksesshëm për FBOXK-në. Gjithashtu, zëvendëskryetari Sylejman Voca raportoi për punën e realizuar gjatë vitit 2025 dhe mbarëvajtjen e turneve të organizuara nga klubet në Kosovë.

Delegatët unanimisht miratuan planprogramin e punës dhe planprogramin financiar për vitin 2025.

Sekretari Latif Demolli raportoi për organizimin e garave ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit, si dhe paraqiti planprogramin e punës dhe atë financiar për vitin 2026, të cilat u miratuan unanimisht nga delegatët. Ai theksoi se një rëndësi e veçantë gjatë këtij viti do t’u jepet përgatitjeve në kampe të ndryshme ndërkombëtare për garuesit që do të marrin pjesë në kampionate evropiane, botërore, Lojërat Mesdhetare dhe turne ndërkombëtare, veçanërisht ato me pikë olimpike.

Në këtë Kuvend, FBOXK pranoi edhe 5 klube të reja.

Punimet e Kuvendit u monitoruan edhe nga përfaqësuesi i KOK-ut, Halil Sylejmani.