Donjeta Sadiku ndalet në çerekfinale pas një vendimi të diskutueshëm në Kupën Botërore të Boksit

KUPA BOTËRORE E BOKSIT – FOZ DO IGUAÇU, BRAZIL (20–27 PRILL 2026)

Sot, më 24 prill, në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, në ring u paraqit boksierja kosovare Donjeta Sadiku (60 kg), e cila në luftë për medalje pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 ndaj boksieres polake Aneta Elżbieta Rygielska.

Sadiku zhvilloi një paraqitje të fortë dhe cilësore, ndërsa mbetet bindja se u dëmtua në këtë duel. Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në të dytin Donjeta reagoi fuqishëm dhe e fitoi me rezultat 3:2. Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori një vërejtje publike, e cila sipas rregullave do të duhej të reflektohej me zbritje pikësh dhe një avantazh më të thellë për Sadikun.

Raundi i tretë, sipas vendimit të gjyqtarëve, u vlerësua 3:2 në favor të Rygielskës, edhe pse Sadiku ishte më aktive gjatë gjithë kohës, duke sulmuar dhe plasuar goditje të pastra. Në përfundim, me vendim të ndarë 3:2, fituese u shpall boksierja polake.

Kjo Kupë Botërore ka një rëndësi të veçantë, pasi pikët e grumbulluara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles”.

Screenshot