Spektakël në Turneun Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari” – Edicioni i 27-të

Prishtinë, 16 Nëntor 2025 – Edicioni i 27-të i Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari” përmbylli një fundjavë plot energji dhe adrenalinë, duke sjellë në ringun e Prishtinës boksierë të shquar nga shtatë vende.

Me 15 dhe 16 Nëntor 2025, ky eveniment tradicional shënoi një sukses të jashtëzakonshëm, duke mbledhur ekipe nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Zvicra, Sllovakia dhe Kosova.

Tifozët e shumtë shijuan dy ditë me meçe kualitative dhe emocionuese.

Pika kulmore e turneut ishte ceremonia e finaleve të së dielës, ku u zhvilluan 9 meçe të nivelit të lartë, duke dhuruar spektakël të vërtetë sportiv.

Pas ndeshjeve finale, u mbajt ceremonia madhështore e ndarjes së çmimeve, ku u vlerësuan më të mirët e këtij edicioni. Përfaqësues të lartë të sportit ndanë trofetë, duke theksuar rëndësinë e këtij turneu për promovimin e boksit në rajon dhe më gjerë.

Momenti kryesor i finaleve ishte shpallja e Shpejtim Bajokut nga Kosova si Boksieri Më i Mirë i turneut. Çmimi iu nda nga Presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës, Enver Krasniqi.

Trofeu për Teknikun Më të Mirë i shkoi Blagovest Nedelchev nga Bullgaria, i ndarë nga Presidenti i Federatës Kroate të Boksit, Bono Bosnjak, duke treguar njohjen ndërkombëtare të këtij vlerësimi.

Ndërkohë, çmimi për Çiftin Më Luftarak iu dha dyshes Lumturim Xhoxhaj (KOS) – Erik Katona (SVK), të cilët dhuruan një ndeshje të paharrueshme, me trofetë të ndara nga legjendat e boksit kosovar, Aziz Salihu dhe Fatmir Makolli.

Boksieri më i mirë i huaj u shpall Hrvoje Kraljevic (CRO), trofe të cilin e pranoi nga zv. Presidenti i KOK-ut Milaim Kelmendi.

Boksieri më i mirë vendor u shpall Taulant Jakupi, me çmimin që e mori nga sekretari i përgjithshëm i FBoxK-së Latif Demolli.

Ndërkohë kampionja jonë Donjeta Sadiku e ndau trofeun e boksierit më fair play, i cili shkoi në duart e Jozef Rrasit nga Kosova.

Ky edicion i “Adem Jashari” konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një pikë takimi e rëndësishme për boksierët e rinj dhe ata me eksperiencë nga Evropa, duke lënë pas premtime për një të ardhme edhe më të ndritur të këtij sporti në rajon.