Dy medalje të argjendta dhe një kupë për Kosovën!

Boksierët e Kombëtares së Kosovës kanë fituar dy medalje të argjendta dhe një kupë në Turneun Ndërkombëtar të Boksit “Gongu i Artë”, i cili u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nga 12 deri më 16 nëntor 2026.

🥊 60 kg – Bashkim Bajoku

Pas dy fitoreve të shënuara në këtë turne, Bashkim Bajoku u kualifikua në finale, ku u përball me boksierin ukrainas Vasko Oleksandr.

Në një meç mjaft të bukur dhe luftarak, gjatë të tri raundeve u zhvillua boks cilësor, duke kënaqur spektatorët e pranishëm në palestër. Në fund, gjyqtarët për fitues shpallën boksierin ukrainas.

Megjithatë, në shenjë vlerësimi për luftën dhe spektaklin e dhuruar në ring, juria u ndau të dy boksierëve nga një kupë si çifti më luftarak i turneut.

🥊 70 kg – Leotrim Berisha

Edhe Leotrim Berisha arriti të kualifikohej në finale, ku u përball me boksierin ukrainas Mark Lomakin.

Gjatë tri raundeve, të dy boksierët zhvilluan një duel mjaft të fortë, me shkëmbime të shumta goditjesh dhe boks cilësor. Në fund, fitorja iu takoi boksierit ukrainas Mark Lomakin, ndërsa Leotrim Berisha u stolis me medaljen e argjendtë, duke zënë vendin e dytë.

Konkurrencë e fortë dhe dominim i boksierëve ukrainas

Në këtë turne konkurrenca ishte jashtëzakonisht e fortë, ndërsa dominuan boksierët nga Ukraina, në mesin e të cilëve ishte edhe kampioni i Evropës dhe i Botës, Yurii Zakhariiev, të cilit iu nda trofeu “Gongu i Artë” si boksieri më i mirë i turneut.

Federata e Boksit e Kosovës i përgëzon Bashkim Bajokun dhe Leotrim Berishën për paraqitjet e tyre dinjitoze, dy medaljet e argjendta dhe kupën e fituar, duke i dëshiruar suksese të reja në garat e ardhshme ndërkombëtare.