Boksi Evropian ka përzgjedhur boksieren kosovare Donjeta Sadiku, në kategorinë e femrave deri në 60 kilogramë, për nominim në Ekipin Kontinental Evropian, i cili do të garojë në edicionin e parë të Kupës Papp 2026 – Dueli i Boksit të Konfederatave. Ngjarja do të zhvillohet më 14 nëntor 2026 në Budapest të Hungarisë.
Kupa Papp 2026 shënon një moment të rëndësishëm për boksin ndërkombëtar, duke bashkuar boksierë elitarë nga Evropa dhe Amerika në një përballje të veçantë ekipore ndërkontinentale.
Ky aktivitet prestigjioz organizohet në bashkëpunim ndërmjet Boksit Evropian, Konfederatës Panamerikane të Boksit dhe Shoqatës Hungareze të Boksit. Në këtë garë, dhjetë nga boksierët më të mirë të Evropës do të përballen me kundërshtarët e tyre nga Amerika, duke përfaqësuar jo vetëm federatat e tyre kombëtare, por edhe gjithë kontinentin evropian.
Nominimi i Donjeta Sadikut vjen në bazë të rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Boksit për Elitë, të mbajtur së fundmi në Sofje, si dhe procesit pasues të përzgjedhjes nga Komiteti Evropian për Sport dhe Gara në Boks.
Përmes kësaj ftese zyrtare drejtuar Federatës së Boksit të Kosovës dhe boksieres së nominuar, Boksi Evropian shpreh kënaqësinë për mundësinë që Donjeta Sadiku të jetë pjesë e Ekipit Kontinental Evropian në këtë ngjarje historike.
Pjesëmarrja e Donjeta Sadikut në këtë garë përbën një vlerësim të rëndësishëm për boksieren kosovare dhe një mundësi të veçantë për përfaqësimin e Kosovës dhe të Evropës në arenën ndërkombëtare të boksit.



