Klubi i Boksit “Prishtina” organizoi Turneun Ndërkombëtar të Boksit “Shqiptarët në Boks janë Histori – Zizi Olimpik”, aktivitet i kushtuar legjendës së boksit kosovar dhe Sportistit të Shekullit, Aziz Salihu.
Turneu u zhvillua në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në një atmosferë të veçantë sportive dhe festive.
Në kuadër të turneut u zhvilluan gjithsej 10 duele, ku boksierët e rinj treguan paraqitje të mira, boks cilësor dhe luftë sportive, duke dëshmuar se boksi kosovar ka një gjeneratë të re me potencial dhe një të ardhme të ndritur.
Në këtë aktivitet, përveç boksierëve nga klubet e Kosovës, morën pjesë edhe boksierë nga rajoni, duke i dhënë turneut karakter ndërkombëtar dhe duke krijuar mundësi të mira për përballje sportive, shkëmbim përvojash dhe promovimin e mëtejshëm të boksit.
Në përfundim të turneut, Klubi i Boksit “Prishtina”, si nikoqir i këtij aktiviteti, shpërbleu boksierët më të mirë të turneut për paraqitjet e tyre.
Pjesë e veçantë e programit ishte edhe programi argëtues para fillimit të dueleve, i cili i dha një atmosferë edhe më festive aktivitetit. Këngëtarja e mirënjohur Monika Salihu, me disa pika muzikore, argëtoi të pranishmit që kishin ardhur për të ndjekur nga afër këtë turne të veçantë, kushtuar një prej figurave më të mëdha të sportit kosovar, legjendës së boksit Aziz Salihu.


