KOSOVA LË PAS SHUMË SHTETE TË MËDHA NË KAMPIONATIN EVROPIAN!
Kosova po dëshmon paraqitje të fuqishme në Kampionatin Evropian Sofia 2026, duke lënë pas në renditje shumë shtete të mëdha dhe me traditë të gjatë në boksin evropian.
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe 300 pikë,në Kampionatin Evropian për meshkuj dhe femra, i cili u zhvillua nga 15 deri më 26 shtator në Sofje të Bullgarisë.
Sadiku pati një paraqitje të shkëlqyer gjatë këtij kampionati, duke u renditur ndër tri boksieret më të mira të Evropës. Medalja e bronztë shkëlqen si e artë për kampionen tonë, e cila edhe një herë dëshmoi se nuk është rastësisht ndër boksieret më të mira në botë.
Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për boksin e Kosovës dhe një tjetër dëshmi e punës, përkushtimit dhe nivelit të lartë të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.
Sukses shënoi edhe boksieri Bashkim Bajoku, i cili u rendit në vendin e pestë në kategorinë deri në 55 kilogramë dhe 150 pikë,në një konkurrencë prej 25 boksierësh. Bajoku ishte në luftë për medalje, por pësoi humbje në sfidën vendimtare.
Kosova, me vetëm dy garues, arriti një rezultat të rëndësishëm në këtë Kampionat Evropian, duke u renditur në vendin e 18-të nga 43 shtete pjesëmarrëse. Për më tepër, Kosova la pas shtete që garuan me ekipe shumë më të mëdha, me nga 11 deri në 15 boksierë, ndër to Italia, Suedia, Gjeorgjia, Sllovakia, Rumania, Zvicra, Holanda, Mali i Zi, Izraeli, Greqia dhe shumë të tjera.
Një falënderim i veçantë shkon për trajnerët Marjola Sallauka dhe Faton Xhakli, të cilët dhanë gjithçka nga puna, përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre për përgatitjen dhe suksesin e boksierëve kosovarë.
Ndër vite, i kemi treguar botës se kush jemi, nga vijmë dhe për çfarë luftojmë. Edhe këtë herë, flamuri i Kosovës valvitej në mesin e më të mirëve të Evropës.
Dy vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për normat olimpike. Besojmë dhe shpresojmë që edhe në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028, boksi i Kosovës, me Donjeta Sadikun dhe boksierë të tjerë, do të jetë sërish pjesë e skenës më të madhe sportive botërore.
Këto do të jenë vitet tona!









