Kosova drejt Tarantos 2026: Kombëtarja e boksit në përgatitje intensive në Gjakovë

Përgatitjet speciale të Kombëtares së Kosovës në boks për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

Federata e Boksit e Kosovës ka organizuar një kamp përgatitor shtatëditor për boksierët e Kombëtares së Kosovës, i cili po zhvillohet në Gjakovë nga 6 deri më 13 gusht 2026, me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Ky kamp përgatitor vjen në një moment të rëndësishëm për përfaqësuesit tanë, në prag të pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, të cilat do të zhvillohen nga 21 gusht deri më 3 shtator 2026 në Itali.

Përgatitjet janë pjesë e planit strategjik të Kombëtares së Kosovës për avancimin e formës fizike, teknike dhe taktike të boksierëve. Qëllimi kryesor është që sportistët tanë të arrijnë nivelin maksimal të përgatitjes dhe të jenë të gatshëm për të përfaqësuar Kosovën denjësisht në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Boksierët janë përzgjedhur nga përzgjedhësi i Kombëtares, Faton Xhakli, ndërsa përgatitjet po zhvillohen nën drejtimin e trajnerit Shefki Bogujevci,me ndihmesit trajneret e k.b.”Sport Center” Leo Hoxha dhe Lekë Ramoja.

Ekipi i Kombëtares së Kosovës në këto përgatitje përbëhet nga:

• Bashkim Bajoku – boksier

• Lumturim Xhoxhaj – boksier

• Shpëtim Bajoku – boksier

• Taulant Jakupi – boksier

• Shefki Bogujevci – trajner

Federata e Boksit e Kosovës shpreh mirënjohje për Komitetin Olimpik të Kosovës për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtyre përgatitjeve dhe beson se puna intensive në ditët para Lojërave Mesdhetare do t’i ndihmojë boksierët tanë të paraqiten në formën më të mirë të mundshme.

Kosova në ringun e Tarantos – me përkushtim, punë dhe synime të mëdha!