Medalje bronzi dhe kupë për Kosovën në Kupën Botërore të Boksit

Kosova ka shënuar një tjetër paraqitje të suksesshme në arenën ndërkombëtare të boksit gjatë Adriatik Pearl Ëorld Cup U19, e cila u mbajt nga 2 deri më 12 mars 2026 në Budva të Malit të Zi.

Boksieri kosovar Riad Isufi arriti të fitojë medaljen e bronztë në kategorinë 55 kilogramë, duke përfaqësuar me sukses Kosovën në këtë turne të fortë ndërkombëtar ku morën pjesë boksierë të rinj nga shumë shtete të botës. Paraqitja e tij u vlerësua si shumë e mirë, duke e vendosur Kosovën mes vendeve që siguruan medalje në këtë kompeticion.

Përveç suksesit në ring, një vlerësim i rëndësishëm erdhi edhe për zyrtarët kosovarë. Gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli u shpall gjyqtari më i mirë i Kupës Botërore “Adriatik Pearl”, duke u nderuar me kupë mirënjohjeje për profesionalizmin dhe kontributin e tij gjatë zhvillimit të garës.

Ky rezultat konsiderohet një arritje e rëndësishme për boksin kosovar, duke dëshmuar talentin e sportistëve të rinj si dhe nivelin profesional të zyrtarëve sportivë të Kosovës në garat ndërkombëtare.