MKRS shpërblen me 14 mijë euro Donjeta Sadikun pas suksesit në botërorin e boksit

Ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, ka organizuar pritje për boksieren Donjeta Sadiku, drejtuesit e KOK-ut dhe Federatës së Boksit të Kosovës, pas suksesit të boksieres tonë në Kampionatin Botëror të Femrave 2022, të mbajtur në Stamboll të Turqisë.

Sadiku fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri ën 60 kilogramë, të parën për boksin kosovar, që prej pavarësimit të sportit tonë.

Ministri Çeku i ka ndarë shpërblimin për Sadikun, në vlerë 14 mijë euro, kurse 7 mijë të tjera i ka ndarë për trajneren e saj, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

“Është një moment historik për Kosovën dhe sportin, por veçanërisht për boksin. Vajzat e Kosovës po vazhdojnë të na bëjnë të mburremi me sukseset e tyre dhe ta ngritin flamurin tonë në ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare”, tha mes tjerash Çeku.

Boksierja Sadiku, u shpreh optimiste edhe për suksese të reja. “Tani veç se kam filluar me medalje, dhe po besoj shumë që do të vijnë edhe të tjera. Qëllimi im kryesor është cikli olimpik ‘Paris 2024’, ku synoj të kualifikohem dhe të sjell medalje olimpike, ashtu siç ka edhe xhudo”, tha Sadiku.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, uroi që sukseset e Sadikut të kulmojnë edhe me medaljen olimpike. “Donjetën e kemi edhe bursiste olimpike për Paris 2024, andaj besojmë që me punë, përkushtim, por edhe fat dhe shëndet ajo do të na bëjë krenar edhe në Lojërat Olimpike 2024”, u shpreh i pari i KOK-ut, i cili i ndau medalistes një buqetë lulesh.

Kryetari i FBOXK-së, Enver Krasniqi, po ashtu vlerësoi lart suksesin e Sadikut, duke thënë se tradita e boksit po kthehet dhe se presin edhe medalje tjera.

Donjeta është bursiste olimpike e KOK-ut për Paris 2024, kurse bursiste ishte edhe në ciklin olimpik të kaluar Tokio 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published.