Kokën lart kampion Bajokut i takon e bronzta

Boksieri ynë, Shpejtim Bajoku, dëshmoi edhe sonte se ka të ardhme të ndritur, pavarësisht se fitorja në fund i takoi algjerianit, Jahia Abdelli, që kishte përkrahjen e fuqishme të tifozëve vendas.

Meçi i takonte gjysmëfinales së kategorisë -63 kilogramë në boks në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Boksieri ynë e fitoi raundin e parë, por që dy raundet në vijim sipas gjyqtarëve i takuan algjerianit.

Sidoqoftë, Bajoku kishte siguruar medaljen e bronztë mbrëmë, të parën për Federatën e Boksit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare, medalje kjo të cilën do ta pranojë në ditët në vijim.