Ekipi Olimpik i boksit lirohet nga karantina në Qendrën e Studentëve

Ekipi Olimpik i boksit është liruar sot nga karantina, ku prej 16 ditësh ndodhej në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit Covid 19.

Një ditë më parë atyre iu ishte bërë testi, i cili kishte rezultuar negativ.

Ekspedita prej katër boksierëve, dy trajnerëve dhe një zyrtari, iu bashkuan sot familjeve të tyre.

“Falënderojmë Institutin e Shëndetësisë, Policinë e Kosovës, Qendrën e Studentëve, KOK dhe MKRS që ishim në kontakt dhe për përkujdesjen e treguar për ekipin tonë gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në karantinë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Boksit të Kosovës.

Ekipi i boksit ishte kthyer nga Londra, ku po merrte pjesë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe që prej 18 marsit ndodhej në karantinë, pas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, që të gjithë personat e ardhur nga vendet e huaja të karantinohen 14 ditë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.