Short relativisht i mirë për boksierët

Katër boksierët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, kanë mësuar sot shortin. Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Ardit Delijaj dhe Shpëtim Bajoku, janë boksierët që do të kryqëzojnë dorëzat prej 22 qershorit.
Donjeta Sadiku në 1/8 e finales në kategorinë deri në 60 kilogramë do të përballet me danezen, Ditte Frostholm. Meçi zhvillohet më 23 qershor.
Ardit Delijaj në kategorinë deri në 81 kilogramë, përballet me Gor Nersesyan të Armenisë, në 1/16 e finales. Meçi zhvillohet të shtunën.
Patriot Behrami kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në 1/8 e finales kryqëzon dorëzat me kroatin, Marko Zeljko, kategoria -69 kilogramë.
Shpëtim Bajoku në kategorinë -64 kilogramë do të ndeshet me izraelitin, Ahmad Shtiwi, meç që zhvillohet më 23 qershor.  
Trajnerët e boksit, Shefki Bogujevci dhe Besim Brahimi, që ishin të pranishëm në short, e kanë vlerësuar shortin relativisht të mirë për garuesit tanë. Boksierët kanë arritur të mërkurën në Minsk të Bjellorusisë, derisa po i zhvillojnë edhe përgatitjet për përfaqësim sa më të mirë.
Lojërat Evropiane Minsk 2019 fillojnë nesër (e premte) me ceremoninë hapëse, ndërsa mbyllen me 30 qershor.