Patriot Behrami u shpall boksieri më i mirë i turneut jubilar ndërkombëtar, “Adem Jashari”

Boksierit tonë, Patriot Behrami, i ka takuar çmimi i më të mirit në edicionin e 20-të të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”, kushtuar komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Turneu jubilar i organizuar nga Federata e Boksit e Kosovës u mbajt të shtunën dhe të dielën në Palestrën Minatori në Mitrovicë, në pjesëmarrjen e 10 shteteve.
Ndër figurat e larta të politikës dhe sportit, i pranishëm ishte edhe ish boksieri i mirënjohur shqiptar, Luan Krasniqi, ndërsa nuk munguan edhe familjarët e komandantit legjendar Adem Jashari.
Në hapje të turneut, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri etj.
Behrami mposhti në finale zviceranin Naser Ricard, në kategorinë deri në 69 kilogramë. Ardit Delijaj u vlerësua boksieri më i mirë vendor, në kategorinë 81 kilogramë.
Çifti më luftarak u shpall Jasim Lama (Maqedoni) dhe Marcel Janicki (Poloni), kategoria deri në 60 kilogramë, kurse epiteti i teknikut më të mirë i takoi Ivan Atanasov (Bullgari).

Turneu Adem Jashari ishte në kalendarin e garave të Federatës Evropiane të Boksit (EUBC).

Komiteti Olimpik i Kosovës, si njëri nga sponsorët e turneut jubilar, përgëzon Federatën e Boksit të Kosovës për organizimin madhështor të këtij turneu.