Kupa Botërore e Boksit për të Rinj U19 – 35th “Adriatic Pearl” 2 – 12 Mars 2026 Budva, Mali i Zi
Sot, më 04 Mars 2026, duke filluar nga ora 15:00, në kuadër të Kupës Botërore të Boksit për të Rinj U19 “Adriatic Pearl”, në ring u paraqitën dy boksierë nga Kosova, të cilët zhvilluan duele mjaft të forta dhe emocionuese.
Në kategorinë deri në 55 kg, Riad Isufi u përball me boksierin ukrainas Vertehel Davyt. Pas një dueli të fortë dhe shumë të baraspeshuar, Isufi arriti të sigurojë fitoren me rezultat të ngushtë 3:2. Me këtë paraqitje, Riad Isufi dëshmoi edhe një herë potencialin e tij të jashtëzakonshëm, duke konfirmuar se është një nga talentet më premtuese dhe e ardhmja e boksit kosovar. Ai tregoi pjekuri taktike, përgatitje të lartë dhe vetëbesim në ring.
Në kategorinë +90 kg, Luan Rrahmani u përball me boksierin nga Kazakistani, Tuleugaliyev Daulet. Pas një lufte të fortë dhe me intensitet të lartë, Rrahmani pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2. Luan Rrahmani luftoi me zemër e shpirt deri në fund të duelit, duke dhënë maksimumin e tij në çdo raund. Megjithatë, përvoja e boksierit kazak bëri diferencën në momentet vendimtare, duke i dhënë atij fitoren.
Përkundër rezultatit, paraqitja e boksierëve tanë dëshmoi nivel të lartë përgatitjeje dhe përfaqësim dinjitoz të Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Federata dhe ekipi trajnerëve mbeten të përkushtuar për vazhdimin e garës dhe arritje të reja në ditët në vijim të turneut.
