Federata e Boksit e Kosovës, përkatësisht Shoqata e Gjyqtarëve të Boksit, më 25 janar 2026, në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00, organizoi seminarin dhe kollokfiumin për gjyqtarë, si dhe seminarin për delegatë dhe mjekë sportivë. Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe pranimi i katër (4) gjyqtarëve të rinj në Shoqatën e Gjyqtarëve të Kosovës.
Ky seminar u mbajt para fillimit të sezonit pranveror të garave në boks dhe kishte për qëllim ripërtëritjen e njohurive të gjyqtarëve, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për gjykimin korrekt dhe profesional të meçeve gjatë sezonit pranveror.
Seminari kishte rëndësi të veçantë për shkak të ndryshimeve të fundit në rregullat teknike të boksit, përfshirë ndryshimet në kategori sipas Federates botërore Worl Boxing, poentim dhe disa vendime të referit në ring.
Ligjërues për gjyqtarët ishte gjyqtari me licencë ndërkombëtare (3 yje), z. Latif Demolli, së bashku me kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, z. Agim Tahiraj. Temat kryesore të seminarit ishin: ndryshimet e kategorive në boks dhe poentimit, si dhe plotësimi dhe ndryshimi i disa rregullave teknike.
Për delegatët, ligjërues ishte z. Sylejman Voca, i cili prezantoi detyrat dhe kompetencat e delegatit, nga përgatitjet para fillimit të meçit e deri në përfundimin e tij.
Ndërkohë, mjeku sportiv Agron Kamberi ligjëroi mbi mjekësinë sportive, kontrollimet mjekësore vjetore dhe ato para meçeve, të cilat janë të domosdoshme për sigurinë e boksierëve, si dhe kriteret për pjesëmarrje në gara.
Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës vazhdon të jetë në hap me zbatimin e rregullave më të reja teknike të federatës botërore të boksit.
Në përfundim, u pranuan katër gjyqtarë të rinj, të cilët do t’i nënshtrohen provimeve teorike dhe praktike sipas rregulloreve në fuqi.







